Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë shpreh mbështetjen e plotë për Aleancën Maqedonase për Integrim Evropian (MAEI) lidhur me padinë e paraqitur në Gjykatën Administrative në Tiranë kundër vendimit të Qeverisë për hapjen e tre qendrave për migrantë në territorin e Bashkisë së Pustecit.
Shoqata vlerëson se ky vendim është marrë pa konsultime me komunitetin lokal, pa debat publik dhe pa respektimin e të drejtave dhe interesave të Pakicës Kombëtare maqedonase në Pustec.
Një qasje e tillë bie ndesh me parimet e vetëqeverisjes lokale, pjesëmarrjes demokratike dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare.
Bashkia Pustec, si zonë ku jeton pakica kombëtare maqedonase, duhet të trajtohet me kujdes të veçantë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të garantojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, me përfshirjen aktive të komunitetit lokal.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, Kryetar Nikolla Gjurgjaj

