Nëse jeni në kërkim të një destinacioni që ofron qetësi, peizazhe mahnitëse dhe një përvojë autentike, Prespa mbetet një nga zonat më të veçanta turistike në Shqipëri. E shtrirë përgjatë brigjeve të Liqenit të Prespës, kjo krahinë po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj që preferojnë natyrën dhe turizmin e qëndrueshëm.
Liqeni i Prespës, një nga liqenet tektonike më të vjetër në Ballkan, është i njohur për ujërat e tij të kristaltë dhe biodiversitetin e pasur. Zona përreth përbën një habitat të rëndësishëm për qindra lloje shpendësh, përfshirë pelikanët, çafkat, kormoranët dhe shumë shpendë shtegtarë, duke e kthyer Prespën në një destinacion të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe fotografisë.
Një tjetër atraksion i rëndësishëm është ishulli i Maligradit, ku ndodhet Kisha e Shën Mërisë, monument i shekullit XIV, e njohur për afresket e saj të ruajtura dhe vlerat historike.
Vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë edhe fshatrat karakteristikë të Bashkisë së Pustecit, ku banon Minoriteti Kombëtar Maqedonas të njohur për mikpritjen tradicionale, arkitekturën karakteristike dhe gatimet autentike. Peshku i freskët i Prespës, djathërat, fasulet dhe mollët e zonës janë ndër produktet më të kërkuara nga turistët.
Përveç pushimit buzë liqenit të Prespës ofron mundësi për ecje në natyrë, çiklizëm, peshkim, kajak dhe shëtitje me varkë, ndërsa shtigjet panoramike dhurojnë pamje mbresëlënëse mbi liqenin dhe malet përreth.
Një veçori tjetër e këtij rajoni është fakti se Liqeni i Prespës ndahet mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë, duke e bërë zonën një pikë takimi të kulturave, historisë dhe traditave të ndryshme.
Sipas operatorëve turistikë lokalë, periudha më e favorshme për ta vizituar është nga maji në qershor dhe nga shtatori në tetor, kur moti është i këndshëm dhe natyra shfaq bukurinë e saj më të plotë. Megjithatë, edhe sezoni veror mbetet një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë pushime të qeta larg plazheve të mbipopulluara.
Me natyrën e paprekur, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen karakteristike të banorëve të Prespës po konsolidohet si një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit natyror dhe kulturor në Shqipëri.

