Sot u zhvillua aktiviteti “GoOverboard: Albania – Corfu”, maratona e notit që përshkon Kanalin e Korfuzit dhe që prej vitit 2014 është kthyer në një simbol miqësie dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Këtë vit, gara mblodhi rreth 120 notarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët u nisën nga Pema e Thatë, Ksamil, drejt pjesës veriore të Korfuzit.
Përtej dimensionit sportiv, aktiviteti shërbeu edhe si një urë lidhëse ndërinstitucionale mes bashkisë Sarandë dhe bashkisë së Korfuzit të Veriut, me pjesëmarrjen e kryetarit të bashkisë së Korfuzit të Veriut, Giorgios Machiemaris, zv.kryetares së bashkisë së Korfuzit të Veriut, Spyridoula Kokkali, zv.kryetarit të bashkisë Sarandë Florjan Sali, drejtores së Drejtorisë së Turizmit pranë bashkisë Sarandë, Erisa Çakalli.
Gjatë takimit të përfaqësuesve të dy bashkive u diskutuan mundësi të reja bashkëpunimi, forcimi i marrëdhënieve institucionale dhe vijimi i kësaj tradite të bukur, e cila afron dy vendet fqinje përmes sportit, turizmit dhe miqësisë.

