Ushtrimi i të drejtës së votës nga minoritetet kombëtare ishte në qendër të diskutimeve të një tryeze të rrumbullakët të organizuar sot nga OSBE në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në takim morën pjesë anëtarë të Komitetit për Pakicat Kombëtare, përfaqësues të KQZ-së, si dhe organizata të shoqërisë civile që angazhohen për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të minoriteteve kombëtare.
Gjatë tryezës u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it lidhur me proceset zgjedhore, përvojat e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, si dhe sfidat dhe mundësitë për rritjen e pjesëmarrjes së minoriteteve kombëtare në procesin zgjedhor.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e garantimit të ushtrimit të plotë dhe efektiv të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët, pa dallim, duke vlerësuar dialogun ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile si elemente kyçe për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve zgjedhore.
Tryeza shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave, adresimin e sfidave ekzistuese dhe identifikimin e hapave konkretë që do të kontribuojnë në forcimin e përfshirjes së minoriteteve kombëtare në jetën demokratike të vendit.

