Avokati i Popullit, Endrit Shabani, dhe komisionerja Vilma Shurdha prezantuan sot studimin “Gjendja e të Drejtave të Pakicave Kombëtare në Shqipëri”, i realizuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Shabani u ndal te hendeku mes njohjes ligjore të të drejtave të pakicave kombëtare dhe mënyrës se si këto të drejta zbatohen dhe përjetohen në praktikë nga qytetarët e këtyre komuniteteve.
Ai theksoi se miratimi i Ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” përbën një hap të rëndësishëm, por nënvizoi se njohja ligjore është vetëm fillimi i procesit.
“Asimilimi nuk vjen gjithmonë si politikë. Më shpesh vjen si mospërfillje”, u shpreh Shabani.
Sipas Avokatit të Popullit, mbledhja e të dhënave dhe evidencave nga partnerët ndërkombëtarë, si edhe nga vetë komunitetet e pakicave, për çështje që shpesh nuk evidentohen nga institucionet publike, përbën një tregues të rëndësishëm për shtetin.
Në këtë kuadër, ai shpalli dy angazhime konkrete: përfshirjen, për herë të parë, të një kapitulli të strukturuar mbi të drejtat e pakicave kombëtare në raportin vjetor të institucionit, duke integruar edhe kontributet e organizatave të shoqërisë civile, si dhe hapjen e zyrave pranë zonave ku jetojnë komunitetet e pakicave kombëtare.
Aktiviteti u organizua nga Seksioni i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit në kuadër të veprimit “Përmirësimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mekanizmi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

