Katër komunitete, katër histori dhe një trashëgimi që po rikthehet në jetë përmes kostumeve tradicionale. Në Qarkun e Korçës po shkon drejt përfundimit projekti i Shoqatës maqedonase “Sonce”, që synon të dokumentojë dhe rikrijojë veshjet tradicionale të minoriteteve maqedonase, rome, arumune dhe egjiptjane.

Projekti “Krijimi i kostumeve të pakicave kombëtare maqedonase, rome, arumune dhe egjiptjane në Qarkun e Korçës”, i financuar nga Komiteti për Pakicat Kombëtare, po zbatohet në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të katër komuniteteve.
Në fokus janë katër kostume tradicionale, të cilat po rikrijohen mbi bazën e modeleve historike dhe dëshmive të ruajtura ndër vite. Punimet po realizohen nga kostumografja korçare Lirika Pojani, e cila po përpiqet të ruajë elementet karakteristike të secilës veshje dhe lidhjen e tyre me historinë e komuniteteve.

Kostumet mbartin histori, simbole dhe mënyrën se si komunitetet kanë shprehur identitetin e tyre ndër breza. Për këtë arsye, projekti synon që përmes rikrijimit të tyre të mos humbasë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të zonës.

Pjesë e projektit është edhe përgatitja e një broshure informuese, ku do të dokumentohen kostumet, tiparet e tyre dhe rëndësia kulturore për secilin komunitet.
Nisma synon gjithashtu të sjellë më pranë komunitetet maqedonase, rome, arumune dhe egjiptjane, duke e kthyer trashëgiminë kulturore në një pikë takimi dhe në një mundësi për të promovuar diversitetin dhe bashkëjetesën.

Projekti do të përmbyllet më 30 tetor 2026, në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku do të prezantohen për publikun katër kostumet e rikrijuara, broshura dhe rezultatet e projektit.
Një nismë që synon të bëjë të dukshme atë që shpesh mbetet e ruajtur vetëm në kujtesën e komuniteteve: historinë e tyre të treguar përmes veshjeve tradicionale.

