Parku Ujor i Drilonit u shndërrua në një skenë të madhe të traditës dhe kulturës shqiptare, duke mirëpritur edicionin e parë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar për Fëmijë “FolkKid”.
Në këtë aktivitet mori pjesë dhe Grupi foklorik maqedonas “Prespa” nga zona e Prespës ku intepretuan me kostume popullore dhe me vallet tradicionale maqedonase nga zona e Prespës.
Në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar për Fëmijë “FolkKid” morën pjesë 12 grupe folklorike të fëmijëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët sollën para publikut vallet burimore, këngët tradicionale dhe kostumet karakteristike të trevave të tyre. Performancat e fëmijëve krijuan një atmosferë festive dhe emocionuese, duke dëshmuar pasurinë dhe larminë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Përmes interpretimit të valleve dhe këngëve popullore, pjesëmarrësit përcollën mesazhin e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore, duke treguar se vlerat folklorike vazhdojnë të jetojnë dhe të transmetohen me krenari te brezat e rinj.
“FolkKid”, një festival i organizuar nga Këshilli i Qarkut Korçë, synon të kthehet në një traditë të përvitshme, duke krijuar hapësira për promovimin e folklorit dhe bashkimin e fëmijëve nga të gjitha trevat shqiptare përmes artit dhe kulturës.
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen dhe nivelin artistik të grupeve, duke theksuar rëndësinë e nismave të tilla në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kulturore.

