Minoritete AL
AKTUALITET

Trebishti zona e Gollobordës i harruar në skajin e Bulqizës (FOTO)

Trebishti është njësia administrative më në skaj të Bashkisë Bulqizë, me rreth 3 mijë banorë të regjistruar në gjashtë lagje. Në praktikë, kjo shifër ekziston vetëm në dokumente zyrtare. Në fshat jeton edhe më pak se gjysma e kësaj popullsie, pasi emigrimi është kthyer në formën kryesore të mbijetesës.

Thuajse çdo familje ka të paktën një anëtar jashtë vendit, ndërsa në shtëpitë e mbetura kanë mbetur kryesisht të moshuar.

Udhëtimi drejt Trebishtit është vetë një tregues i braktisjes.

Rruga nga Viçishti drejt fshatit është e dëmtuar e gjitha, me gropa dhe pa ndërhyrje të dukshme mirëmbajtjeje prej vitesh. Për banorët, lidhja e mbijetesës së zonës nuk është me Bulqizën, por me Dibrën e Madhe në Maqedoni.

Pikëkalimi kufitar Xhepisht–Trebisht funksionon me orar të kufizuar, rreth 12 orë gjatë sezonit veror. Pas mbylljes së tij, Trebishti mbetet praktikisht i izoluar. Zoti mos e dhëntë që kesh ndonjë rast emergjence shëndetësore, pasi alternativa e vetme është rruga drejt Bulqizës, që kërkon mbi një orë e gjysmë udhëtim në kushte të vështira.

Segmenti i vetëm i asfaltuar, rreth dy kilometra nga qendra e fshatit deri te pika kufitare, është i dëmtuar në disa pjesë. Inertet e kanë mbuluar. Ndriçimi publik, i vendosur rreth 15 vite më parë, është thuajse i gjithë jashtë funksioni. Në mbrëmje, qendra e fshatit mbetet pjesërisht në errësirë. Banorët thonë se Bashkia Bulqizë nuk ka kryer as ndërhyrjet më minimale për mirëmbajtje, duke e trajtuar zonën si territor të harruar.

Në qendër të fshatit funksionojnë vetëm dy lokale dhe disa dyqane të vogla që shesin produkte bazë. Prania e të huajve vihet re menjëherë, sepse fshati është i vogël dhe i zbrazët.

Banorët flasin hapur për mungesë besimi te proceset zgjedhore, duke pohuar se vota historikisht është blerë dhe orientuar sipas interesave të momentit. Në shumë raste, ata thonë se janë udhëzuar se si të votojnë në mënyrë që vota të jetë e identifikueshme.

Në lagjet e fshatit, realiteti është edhe më i ashpër. Rrugët janë të pashtruara dhe të mbuluara nga balta. Në dimër, lëvizja bëhet pothuajse e pamundur. Mungesa e infrastrukturës shoqërohet me ndotje të rëndë mjedisore.

Përronjtë janë kthyer në depozita mbetjesh, ndërsa kosha plehrash nuk janë vendosur kurrë. Mbetje gjenden pranë shkollës, në përrenj dhe në hapësira të braktisura. Banorët thonë se, po të vendoseshin disa kosha dhe të bëhej pastrim periodik, edhe një herë në muaj, situata do të përmirësohej ndjeshëm.

Një problem tjetër serioz janë ujërat e zeza, të cilat derdhen hapur në disa zona të fshatit. Kjo krijon ndotje dhe erë të rëndë, sidomos gjatë verës, duke e bërë jetesën edhe më të vështirë për banorët e mbetur.

Bujqësia është thuajse pa perspektivë. Ata pak banorë që punojnë tokën e bëjnë këtë më shumë për mbijetesë sesa për treg. Mungesa e infrastrukturës dhe e fuqisë punëtore e kanë kthyer bujqësinë në një angari, jo në burim të ardhurash.

Rrjeti elektrik është i vjetëruar, me shtylla druri të amortizuara dhe tela të varur që kalojnë mbi rrugicat e pashtruara. Në dimër të rrish pa energji elektrike për 3-4 ditë është kthyer në normalitet për këtë zonë. Në fshat dominojnë shtëpi tradicionale dykatëshe prej guri, shumë prej të cilave janë të dëmtuara, me mure rrethuese të shembura që vështirësojnë lëvizjen.

Sot, Trebishti mbijeton falë emigrimit dhe lidhjes me Maqedoninë, që mbulon nevojat më bazë të përditshmërisë. Pa investime minimale në rrugë, ndriçim, ujësjellës, kanalizime dhe menaxhim mbetjesh, kjo zonë rrezikon të zbrazet edhe më tej, duke mbetur vetëm një emër në hartën administrative të Bashkisë Bulqizë./ https://www.bulqizaime.al/fotoreportazh-trebishti-i-harruar-ne-skajin-e-bulqizes/

Ndoshta je i interesuar të lexosh

Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë do të marrë pjesë në Kongresin e Unionit Federal të Kombësive Europiane (FUEN) që do të mbahet në Helsinki të Finlandës

nikola

Gjurgjaj: Ditë Historike për Maqedonasit në Shqipëri, Rezoluta e paraqitur nga Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, u miratua unanimisht nga Unioni Federal i Kombësive Europiane

nikola

Pesëmbëdhjetë vjet nga botimi i numrit të parë të gazetës maqedonase “Ilinden” u shënuan solemnisht në Tiranë

nikola