Në Tiranë filloi Seminari i 29-të i Grupit të Punës së Minoriteteve Sllave në Europë i organizuar nga Unioni Federal i Kombësive Evropiane (FUEN) në bashkëpunim me Shoqatën Maqedonase “Ilinden”-Tiranë.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, për herë të parë në Tiranë, është organizatore e Seminari i 29-të i Grupit të Punës së Minoriteteve Sllave në Europë me pjesëmarrës nga 20 organizata me 40 përfaqësues. Është një nder i veçantë të presë miq dhe bashkëpunëtorë nga 11 vende: Shqipëria, Gjermania, Austria, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Ukraina, Hungaria, Serbia, Italia dhe Sllovakia.
Në ceremoninë e hapjes përshëndeti Nikolla Gjurgjaj, Kryetari i Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, dhe Dr. Hartmut Leipner, Kryetari i Grupit të Punës së Minoriteteve Sllave (AGSM) dhe Zëvëndëskryetar i Unionit Federal të Kombësive Evropiane (FUEN).
Puna vazhdoi më pas me panel prezantimi tematik “Pozicioni i Minoritetit Kombëtar Maqedonas në Republikën e Shqipërisë” dhe një ekspozitë me temë “Arsimi në Gjuhën Amtare Maqedonase në Republikën e Shqipërisë”.
Seminari i këtij viti përqendrohet në situatën e Minoritetit Kombëtar Maqedonas në Republikën e Shqipërisë, dhe mbahet nga sot deri më 7 qershor në Tiranë, Republika e Shqipërisë.
Në seminar marrin pjesë Dr. Hartmut Leipner, Kryetari i Grupit të Punës së Minoriteteve Sllave (AGSM) dhe Zëvëndëskryetar i Unionit Federal të Kombësive Evropiane (FUEN), znj. Genta Tafa (Bungo) – Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi i Republikës së Shqipërisë, znj. Etleva Budini, Deputete e Parlamentit të Shqipërisë për Qarkun e Durresit, Atanas Ploça, Nënkryetar i Bashkisë Pustec, Prof. Dr. Kimet Fetahu, Kryetar Nderi i Aleancës së Maqedonasve për Integrim Evropian, Endrit Fetahu, Nënkryetar i Aleancës së Maqedonasve për Integrim Europian, Dejan Çulafiq, lektor në Universitetin “Luigj Gurakuci” Shkodër, znj. Entela Bignaku, Drejtoreshë e “Harriet Martino”, nga minoriteti vllah në Shqipëri, Ervin Nikolla, Gazetar, përfaqësues i minoritetit maqedonas në Shqipëri.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë është anëtare e Unionit Federal të Kombësive Europiane (FUEN) dhe Grupit të Punës së Pakicave Sllave (AGSM) që nga 16 maji 2015.

