Fondacioni “Harriet Martineau” ka nisur zbatimin e projektit “Identitete në dritë: Libri, artizanati dhe trashëgimia”, një nismë që synon promovimin e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të Minoritetit Arumun në Shqipëri.
Projekti realizohet me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare, në kuadër të Thirrjes 2026 “Trashëgimia si urë bashkëjetese”.
Në kuadër të këtij projekti, më 15 dhe 16 gusht 2026 në Divjakë do të zhvillohet veprimtaria e parë: ekspozimi i punimeve artizanale dhe fotografive që pasqyrojnë kulturën e komunitetit arumun.
Ekspozita do të sjellë për publikun një koleksion punimesh tradicionale të realizuara nga artizanë të Minoriteti Arumun në Divjakë, duke vënë në pah mjeshtërinë, kreativitetin dhe kujtesën kulturore të transmetuar ndër breza.
Ndër punimet që do të ekspozohen përfshihen punime me grep me motive gjeometrike dhe floreale, velenxa dhe rrugica të endura në tezgjah, fanella, papuçe, çorape të gjata të punuara me shtiza, si dhe punime të tjera tradicionale të tekstilit.
Një element i rëndësishëm i trashëgimisë artizanale arumune është edhe përpunimi i leshit, ku përfshihen proceset tradicionale të tjerrjes, ngjyrosjes dhe endjes së materialeve të përdorura për veshje dhe sende të përditshme.
Zgjedhja e datave të aktivitetit lidhet me rëndësinë shpirtërore që ka për Minoritetin Arumun Festa e Shën Mërisë, ose Dita e Fjetjes së Hyjlindëses, një periudhë e veçantë që lidhet me bashkimin familjar, ruajtjen e zakoneve dhe forcimin e lidhjeve komunitare.
Aktiviteti do të zhvillohet në Divjakë, më 15 gusht në orën 19:00 dhe më 16 gusht në orën 09:00, në mjediset e Aliaj Event.
Përmes kësaj ekspozite, Fondacioni “Harriet Martineau” synon të sjellë në vëmendjen e publikut vlerat e kulturës arumune dhe rolin e trashëgimisë kulturore si një urë komunikimi, njohjeje dhe bashkëjetese mes komuniteteve.

