Fondacioni “Harriet Martineau” përmbylli projektin “Identitete në dritë: Libri, artizanati dhe trashëgimia”, një nismë e cila synoi të sjellë në vëmendje dhe të promovojë trashëgiminë kulturore të komunitetit arumun në Shqipëri.
Projekti, i cili nisi më 15 qershor 2026, u realizua me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare, në kuadër të Thirrjes 2026 “Trashëgimia si urë bashkëjetese”.
Veprimtaria e dytë dhe njëherazi përmbyllëse e projektit u zhvillua më 27 shtator 2026, pranë sallës kulturore të Kishës së Shën Sotirit në Korçë. Në fokus të aktivitetit ishte prezantimi i librit “Receta të traditës arumune”, i cili sjell një përmbledhje të gatimeve tradicionale të përgatitura nga znj. Lefteri Gjoshe.

Aktiviteti synoi të promovojë më tej pasurinë e trashëgimisë kulturore arumune, duke vënë në pah edhe rëndësinë e kulinarisë tradicionale si pjesë e identitetit dhe e kujtesës kolektive të komunitetit.
Në fjalën e saj, znj. Entela Binjaku, përfaqësuese e Fondacionit “Harriet Martineau”, prezantoi projektin dhe qëllimin e veprimtarisë, duke u ndalur në rëndësinë e traditës së gatimit në dokumentimin dhe përcjelljen e identitetit kulturor.
Recetat tradicionale nuk përfaqësojnë vetëm mënyra përgatitjeje dhe përbërës të trashëguar ndër breza. Ato mbartin histori, kujtime, zakone dhe mënyra jetese, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes së kaluarës dhe brezave të rinj.
Në këtë kuptim, libri “Receta të traditës arumune” shërben jo vetëm si një dokumentim i një pjese të trashëgimisë kulturore të komunitetit arumun, por edhe si një mjet për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat e ardhshëm.
Në aktivitet mori fjalën edhe z. Hasimin Keci, Nënkryetar i Komitetit për Pakicat Kombëtare, i cili përcolli një fjalë përshëndetëse.
Znj. Mirela Veriga, nga Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” – Filiali Korçë, foli për kontributin e grave arumune të zonës në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës së gatimeve tradicionale.
Gratë kanë pasur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shumë prej zakoneve familjare dhe komunitare. Nëpërmjet përgatitjes së ushqimeve tradicionale, transmetimit të recetave dhe praktikave të gatimit, ato kanë kontribuar në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore jomateriale.
Ndërsa znj. Lefteri Gjoshe prezantoi punën e bërë për përgatitjen e librit “Receta të traditës arumune”, duke ndarë me pjesëmarrësit përvojën dhe procesin e mbledhjes e dokumentimit të recetave.

Në veprimtari morën pjesë rreth 30 pjesëtarë të komunitetit arumun, të cilët u bënë pjesë e një hapësire bashkëbisedimi dhe shkëmbimi rreth traditave dhe trashëgimisë kulturore.
Projekti “Identitete në dritë: Libri, artizanati dhe trashëgimia” përfshiu disa prej formave përmes të cilave një komunitet ruan dhe përcjell identitetin e tij kulturor: nga punimet artizanale dhe fotografitë e ekspozuara në Divjakë, tek recetat dhe gatimet tradicionale të prezantuara në Korçë.
Këto veprimtari krijuan hapësira për njohjen dhe dokumentimin e trashëgimisë arumune, por edhe për bashkëbisedim dhe shkëmbim përvojash mes pjesëtarëve të komunitetit.

Përmes këtij projekti, Fondacioni “Harriet Martineau” synoi të kontribuojë në promovimin, dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore arumune, duke e sjellë atë më pranë publikut përmes artit, fotografisë, artizanatit dhe librit.
Në këtë kuptim, “Identitete në dritë” e trajtoi trashëgiminë jo vetëm si një dëshmi të së kaluarës, por edhe si një hapësirë kujtesë, dialogu dhe bashkëjetese, ku traditat e trashëguara ndër breza mund të vazhdojnë të jetojnë dhe të përcillen te brezat e ardhshëm.
Për Fondacionin “Harriet Martineau”, ruajtja e trashëgimisë kulturore është një proces i vazhdueshëm, në të cilin kujtesa e komunitetit, dokumentimi dhe transmetimi i traditave te brezat e rinj luajnë një rol të rëndësishëm.
