Letërsia rumune dhe ajo shqiptare u takuan në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, në kuadër të ditës së katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Krijimtarisë Letrare “Titel Constantinescu”.
Veprimtaria, e zhvilluar më 24 gusht 2026 në Bibliotekën “Moikom Zeqo” në kryeqytet i kushtoi një hapësirë të veçantë librit, poezisë dhe dialogut kulturor ndërmjet dy vendeve. Takimi mblodhi së bashku shkrimtarë, anëtarë të komunitetit arumun dhe shqiptar, si dhe dashamirës të letërsisë. Në qendër të takimit ishte antologjia dygjuhëshe rumune-shqiptare “Taceri comune” (Heshtje të përbashkëta), me autorë Mihaela Aionesei, Vilia Banta, Florentina Chifu, Constantin Marafet, Maria Nicolai, Luminița Raileanu dhe Nicol Sere. Gjithashtu u promovua antologjia dygjuhëshe rumune-shqiptare e autores Mihaela Aionesei, me titull “Liniștea dinaintea tăcerii” (Qetësia përpara heshtjes), si dhe vëllimi “Vers alb” (Varg i bardhë), me autore Camelia Sava.

Veprimtaria u nderua me praninë e Ambasadorit të Rumanisë në Shqipëri, Octavian Șerban, i cili në prani të përfaqësuesve të komunitetit arumun e shqiptar dhe dashamirës të kulturës, kontribuoi në atmosferën e veçantë të këtij takimi letrar.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Harriet Martineau”, të përfaqësuar nga Entela Binjaku, duke i dhënë një dimension të rëndësishëm bashkëpunimit kulturor rumuno-shqiptar dhe promovimit të letërsisë rumune në Shqipëri.
Takime të tilla dëshmojnë edhe një herë fuqinë e letërsisë për të kapërcyer kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë. Libri mbetet një urë mes njerëzve, gjuhëve dhe traditave, ndërsa dialogu letrar rumuno-shqiptar në Tiranë dëshmon se miqësia dhe bashkëpunimi kulturor mund të ndërtojnë lidhje të qëndrueshme mes dy kulturave.
